Sport Ndërkombëtar

Liverpool shënoi fitoren e parë

Liverpooli e ka shënuar fitoren e parë për edicionin 2023/24 në Ligën Premiere, pas barazimit 1-1 me Chelsean në xhiron e parë.

“The Reds” triumfuan 3-1 në “Anfield” ndaj Bournemouth në një ndeshje me shumë kthesa.

Të parët që kaluan në epërsi ishin mysafirët, që realizuan qysh në minutën e tretë nëpërmjet Semenyo, që u asistua prej Dominik Solankes.

Por, Liverpooli i barazoi shifrat në 1-1 me golin e Luis Diaz (28’), duke ringjallur ekipin e tij në pjesën ofanzive.

Në minutën e 36-të, vendasit fituan një penallti, të cilën Mohamed Salah nuk ia doli ta konvertonte fillimisht në gol, ndërsa nga topi i kthyer e futi atë në rrjetë.

Me kaq edhe përfundoi pjesa e parë, derisa në të dytën kishte një karton të kuq dhe një gol.

Liverpooli mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, kur Alexis Mac Allister u ndëshkua direkt me karton të kuq për një ndërhyrje të palejueshme në minutën e 58-të.

Mirëpo, kjo nuk ndikoi në tempon e tyre, pasi në minutën e 62-të, Diogo Jota shënoi për 3-1.

Pas xhiros së dytë, Liverpooli ka arkëtuar katër pikë, ndërsa në javën e katërt do të ketë punë me Newcastle United.

/Shqip.com