Spitali në Ukrainë goditet nga forcat ajrore ruse

Një spital për fëmijë në qytetin e Mariupolit është goditur nga një sulm ajror rus, thotë Ukraina.

Presidenti Volodymyr Zelensky tha se njerëzit ishin të bllokuar nën rrënojat dhe e quajti sulmin një krim lufte

Ai postoi edhe pamjet me sa duket nga brenda spitalit, të cilat dukeshin të dëmtuara rëndë, shkruan BBC.

Një zyrtar rajonal tha për mediat ukrainase se të paktën 17 persona u plagosën, duke përfshirë stafin dhe pacientët.

Pavlo Kyrylenko, kreu i administratës rajonale të Donetskut, i cili përfshin qytetin port të Mariupolit, tha se nuk ishte konfirmuar asnjë vdekje dhe nuk kishte asnjë lëndim të konfirmuar në mesin e fëmijëve. Ai tha se sulmi ndodhi gjatë një armëpushimi të rënë dakord me palën ruse, sipas Interfax Ukraine.

Këshilli i qytetit të Mariupol tha se sulmi kishte shkaktuar “dëm kolosal” dhe publikoi pamjet që tregonin ndërtesa të djegura, makina të shkatërruara dhe një krater të madh jashtë spitalit. BBC ka verifikuar vendndodhjen e videove.

“Ne nuk e kuptojmë se si është e mundur në jetën moderne të bombardohet një spital për fëmijë. Njerëzit nuk mund të besojnë se është e vërtetë,” tha nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov për BBC.

Presidenti Zelensky, duke folur rusisht dhe jo ukrainisht në një pjesë të fjalimit të tij të fundit me video, tha se sulmi ishte një krim lufte.

“Çfarë vendi është Rusia, që ka frikë nga spitalet dhe maternitetet dhe i shkatërron ato”, pyeti ai.

Shtëpia e Bardhë dënoi përdorimin “barbar” të forcës kundër civilëve të pafajshëm dhe kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson shkroi në Twitter se “ka pak gjëra më të shthurura sesa të synosh të pambrojturit”.

Mariupol ka qenë i rrethuar nga forcat ruse për disa ditë dhe përpjekjet e përsëritura për një armëpushim për të lejuar civilët të largohen janë prishur.

“I gjithë qyteti mbetet pa energji elektrike, ujë, ushqim, çfarëdo dhe njerëzit po vdesin për shkak të dehidrimit”, tha Olena Stokoz nga Kryqi i Kuq i Ukrainës për BBC, duke shtuar se organizata e saj do të vazhdojë të përpiqet të organizojë një korridor evakuimi.

Teksa, Nënkryetari i bashkisë Orlov tha se të paktën 1,170 civilë ishin vrarë në qytet që kur Rusia filloi bombardimet e saj dhe se 47 njerëz atje u varrosën në një varr masiv të mërkurën, megjithëse këto shifra nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur.