Rama: S’do të kishte Pavarësi pa Rugovën e UÇK-në

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në 15 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, ka përmendur kontributin e ish-presidentit Rugova dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për shënimin e kësaj dite, duke thënë se Kosova nuk do të ishte kjo që është pa këtë kontribut.

Rama, në seancën solemne të Kuvendit të Kryeqytetit, ndër tjerash, ka përmendur edhe kohët e vështira kur Kosova ishte nën sundimin e dikurshëm Jugosllav.

“Sot është dita më e veçantë e vitit për popullin tonë, sepse festojmë përvjetorin e shpalljes së Kosovës, shtet të pavarur. Të gjithë ne në këtë sallë jemi mjaft të vjetër sa më e mbajtë mend sistemin e dikurshëm Jugosllav, kemi pasë kush më shumë e kush më pak, fëmijëri të vështira”.

“Të gjithë ne në ato kohëra i përballnim traumat e robërisë në të cilën u rritëm me shpresat dhe ëndrrat për të ardhmen, megjithatë në historinë tonë të krejt shekullit të fundit, madje qëkur Kosova mbeti e shkëputur nga Shqipëria pas dorëheqjes së osmanëve prej tokave tona, nuk ka pasë një brez tjetër më fatlum se sa që jemi ne sot këtu”, theksoi i pari i Komunës së Prishtinës.

Rama ka thënë se ish-presidenti Rugova ka punuar shumë për Pavarësinë e Kosovës, prandaj duhet edhe ta kujtojmë në ditë si këto.