Pupovci: Marrëveshja Kosovë-Shqipëri për pranimin e ndërsjelltë të studentëve fillon këtë vit

Dukagjin Pupovci, zëvendësministër i MASHTI-t

Marrëveshja që parasheh pranimin e studentëve në Universitet Publike në Shqipëri dhe anasjelltas pritet të fillojë këtë vit.

Me ketë marrëveshje maturantët e Kosovës mund ti vazhdojnë studimet në Shqipëri dhe anasjelltas.

Në një intervistë për Shqip.com, Zv. Ministri i Ministrisë së Arsimit, Dukagjin Pupovci ka folur rreth kësaj marrëveshje dhe implementimit të saj.

Pupovci është shprehur se me këtë marrëveshje hiqen të gjitha kufizimet për regjistrimin e studentëve.

“Me këtë marrëveshje hiqen të gjitha kufizimet për regjistrimin e studentëve, nga Kosova për në Shqipëri dhe anasjelltas. Trajtimi do të jetë i barabartë për të dy palët” ka thënë Pupovci.

Pupovci ka treguar edhe për numrin e Universiteteve të cilat janë të përfshira në këtë marrëveshje.

“Numri i Universiteteve të përfshira në këtë marrëveshje është 19. Këtu bëjnë pjesë të gjitha Universitetet nga Mitrovica deri në Gjirokastër, dhe në këto Universitete studentët mund të regjistrohen në kushte të barabarta”, ka shtuar Pupovci.

Pupovci ka thënë se kjo marrëveshje pritet të gjejë implementim këtë vit akademik.

“Kjo marrëveshje do të implementohet që këtë vit akademik, nga afati i parë i regjistrimit të studentëve që pritet të nis në muajin korrik” ka thënë Pupovci. Marrëveshja e nënshkruar synon unifikimin dhe lehtësimin e procedurave të aplikimit, konkurrimit dhe regjistrimit për të dy vendet./Shqip.com