Petkoviq: Serbët po largohen nga institucionet deri në formimin e Asociacionit

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se serbet e Kosovës e kanë bërë të qartë që do të largohen nga institucionet derisa të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Petkoviq këtë e tha në mediumin serb RTS. Ai tha se ata janë duke kërkuar zbatimin e një marrëveshje të arritur në Bruksel.

“Kjo është një përgjigje paqësore dhe demokratike e popullit serb që dëshiron të mbrojë marrëveshjen e Brukselit dhe bashkësinë e komunave serbe në këtë mënyrë. Ne jemi këtu për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, për të qenë me popullin tonë, më përgjegjës për këtë gjendje është Albin Kurti, i cili shkel sistematikisht marrëveshjet”, tha Petkoviç.

Reagimi i Brukselit dhe thirrja ndaj Kosovës për t’iu qasur urgjentisht formimit të Asociacionit, sipas Petkoviç, është i vonuar.

“A duhet të ndodhë e gjithë kjo me qëllim që Brukseli të reagojë dhe ata janë garantues për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe faktin se ne nuk e kemi ZSO-në sot? Pse nuk mund të ndodhte më shpejt?”.

Petkoviç thotë se askush nuk do targa RKS përveç trengjyrëshit serb, që do të shihet në protestat e sotme.

“Ky është një reagim i detyruar i popullit serb, braktisja e institucioneve të përkohshme është një reagim demokratik, sepse populli ka patur mjaft. Serbët kanë deklaruar qartë se po lënë të gjitha institucionet deri sa të fillojë formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe kurti të shfuqizojë vendimin e dhunshëm për të riregjistruar makinën,” tha Petkoviç.

Serbët në veri të vendit gjatë ditës së sotme kanë mbajtur protestë në sheshin kryesor “Car Lazar”.

Pas largimit nga institucionet e Kosovës gjatë ditës së djeshme, dhe dorëheqjes së Goran Rakiçit nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës, sot gjatë ditës edhe Kryetarët dhe këshilltarët e katër komunave veriore kanë dhënë dorëheqje.

Dorëheqje këtë mëngjes kanë dorëzuar edhe kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Po ashtu se gjatë ditës së djeshme, policët serbë në Veri kanë dorëzuar detyrën, duke zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë ta ruajnë qetësinë e sigurinë.

Sipas tij Lista Serbe është vegël e presidentit Vuçiq, që e kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme.