Në Bruksel mblidhen liderët pas përshkallëzimit të situatës  Ukrainë

Zyrtarët e lartë nga shtetet e Bashkimit Evropian dhe shtetet e tjera aleate do të mblidhen në Bruksel pas përshkallëzimit të situatës në Ukrainë ku është goditur edhe centrali bërthamor.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së, Jens Stoltenberg ka dënuar veprimet e Rusisë në Ukrainë duke përfshirë edhe granatimin e centralit bërthamor duke e konsideruar se Rusia në luftën e saj është duke treguar pamaturi.

“Ne dënojmë sulmet ndaj civilëve dhe brenda natës kemi parë gjithashtu raporte për sulmin kundër një centrali bërthamor. Kjo thjesht tregon pamaturinë e kësaj lufte dhe rëndësinë e përfundimit të saj dhe rëndësinë që Rusia të tërheqë të gjitha trupat e saj dhe të angazhohet me mirëbesim në përpjekjet diplomatike”, ka thënë ai.

Ndryshe forcat ruse kanë goditur centralin bërthamor në Zaporizhzhia mirëpo nga goditja nuk është shkaktuar ndonjë çarje.

Ekspertët druajnë se goditja e centraleve bërthamore do të shkaktojë fatkeqësi me përmasa të mëdha në civilë dhe në mjedisin.

Ndryshe trupat ruse janë duke vazhduar me ofensivën e tyre në pushtimin e Ukrainës. Ata nuk janë duke hequr dorë nga planet e tyre pavarësisht thirrjeve nga Bashkësia Ndërkombëtare. /Shqip.com