Mblidhen krerët e shtetit , diskutojnë për veriun

Veriu i Kosovës dhe gjendja në veri ishin temat kryesore të takimit në mes të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrit Kurti, kryetarit të Kuvendit Konjufca dhe Ministres së Jashtme Donika Gërvalla.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga zyra e presidencës.

“Presidentja Vjosa Osmani ka mbajtur sot takimin e rregullt koordinues me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, me kryeministrin, Albin Kurti dhe me zëvendëskryeministren, Donika Gërvalla-Schëarz lidhur me zhvillimet e fundit në veri të vendit.Gjatë takimit u theksua përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës për të garantuar mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit përmes zbatimit të rendit dhe ligjit në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë në Kosovë” thuhet në njoftim.

Gjatë ditës së sotme Osmani ka zhvilluar takime të ndara edhe me ambasadorin amerikan në Kosovë, komandantin e KFOR-it, dhe Ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.