LDK: Pas dështimit në veri, Osmani ftoi opozitën për ta mbuluar papërgjegjësinë

Lumir Abdixhiku – Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas dështimit të mbrëmshëm ka ftuar partitë opozitare në takim për të mbuluar papërgjegjësinë.

Ky reagim i LDK-së në një komunikatë për media erdhi pasi sot Osmani ka organizuar takim me Qeverinë në lidhje me situatën në veri por që nuk ju është përgjigjur opozita.

“Nga dështimi i mbrëmshëm, kuptuam që institucionet nuk janë koordinuar me askënd dhe se nuk kanë qenë të përgatitura për situatën e djeshme. Ndërsa sot, pas dështimit, Presidentja ftoi në takim partitë opozitare me Qeverinë. Për çfarë? Për të mbuluar dështimin dhe papërgjegjësinë? Opozita duhet të konsultohet dhe të dëgjohet para se të ndërmerren veprimet”, thuhet në këtë komunikatë.

Po ashtu ata thonë se i kanë dhënë mbështetje institucioneve të Kosovës në lidhje me shtrirjen e ligjshmërisë në të gjithë territorin e Kosovës si dhe kanë dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri.

“Lidhja Demokratike e Kosovës dje, i dha mbështetje institucioneve të Republikës së Kosovës në lidhje me shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e vendit. Dënuam sulmin ndaj Policisë së Kosovës që po ushtronte mandatin e saj kushtetues. Kërkuam koordinim me bashkësinë ndërkombëtare dhe theksuam që Kosovës në këto momente i duhen më së shumti siguria dhe qetësia”.

Megjithatë, ata janë shprehur se mbështesin masën e reciprocitetit.

Krerët e shtetit së bashku me ministren e Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla si dhe ministrin e Ministrisë së Brendshmë, Xhelal Sveçlen janë takuar në mes vete që të vazhdojnë koordinimin në lidhje me zhvillimet e fundit në vend.

Siç ka  njoftuar zyra e presidencës në takim ishin të ftuar edhe liderët e opozitës por që nuk kanë marrur pjesë.