LDK: Ftojmë KEDS-in e KQZ-në që të gjitha vendvotimet të jenë me energji, sidomos gjatë natës
Udhëheqësi i shtabit zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kërkuar nga KEDS dhe KQZ-ja t’i evitojnë problemet me energji elektrike – sidomos në orët e mbrëmjes, meqë siç pretendon ai, kjo ka ndodhur në disa qendra të votimit.
Gashi më tej thotë se presin që një pjesë të konsiderueshme të komunave t’i fitojnë pa balotazh, duke shtuar se kanë pritshmëri pozitive ashtu siç thotë se janë indiciet e para.
“Sot e kemi një ditë të gjatë. Kjo është një konferencë që mbahet nga shtabi zgjedhor i LDK-së. Deri sot kemi angazhuar rreth mbi dy mijë e 600 komisionerë, vëzhgues, mijëra aktivistë që sot punojnë për LDK-në. Procesi ka filluar sipas kohës së paraparë”, tha ai në një konferencë për media.
“Ka pas disa probleme të vogla me energji elektrike, por përgjithësisht ka qenë proces i mirë. Prandaj e ftoj KEDS-in dhe KQZ-në që të gjitha votimet të jenë me energji sidomos gjatë natës”.
“LDK-ja fton qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për vote. Ne presim që një pjesë e konsiderueshme të komunave t’i fitojmë pa balotazh. Pritshmëritë tona janë pozitive, indicet e para janë pozitive”, ka thënë Gashi.
Kosova sot voton për zgjedhjen e kryetarëve të rinj të komunave me mandat katër-vjeçar.