Kurti: Situata në veri mund të ketë lidhje me planin franko-gjerman

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë që situata në veri të Kosovës mund të ketë lidhje me planin franko-gjerman.

Siç ka raportuar RTK, Kurti këtë e ka thënë para mediave gjatë një vizite në Prizren.

“Ka mundësi që ata nuk dëshirojnë të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog dhe tash kanë zgjedhur këtë rrugën tjetër, por unë besoj që të dëgjueshmit e tyre, janë pakrahasimisht strukturat e ndryshme ilegale, se sa qytetarët e vendit tonë që janë me përkatësi etnike serbe”, tha Kurti.

Kreu i qeverisë, tha se do të dështojnë përpjekjet e Serbisë për destabilizim të Kosovës.

“Unë e di që një përpjekje e tillë do të jetë e pasuksesshme, shteti ynë është i fortë duke qenë demokratik, duke qenë i rreshtuar me SHBA, NATO dhe BE. Kurse liberalizimi i vizave është diçka tjetër, dhe besoj se kjo sagë do të përmbyllet dhe nuk ka lidhje që bëhet në Kosovës, ndoshta në Beograd besojnë një gjë të tillë”.

Kurti ka folur për periudhën që do të jetë në javët dhe muajt në vijim rreth procesit të targave.

Sipas tij nga 843 qortime të dhëna deri më tani nga policia për drejtuesit e makinave me targa pa leje,  kishte 0 incidente apo ankesa. Për mundësinë e rrezikimit të situatës së sigurisë, Kurti tha ajo mund të rrezikohet nga grupet kriminale që veprojnë në Kosovë dhe në veri.

Tujte, Kurti ka ftuar pjesëtarët e komunitetit serb që të mos i lëshojnë vendet e tyre të punës duke thënë se ata e kanë presionin nga Beogradi dhe jo nga Prishtina.

Më shumë se 300 policë serbë nga veriu i Kosovës kanë hequr uniformat e policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës sot rreth orës 14:00.

Pas kësaj, një nga policët iu drejtua gazetarëve të mbledhur dhe “u tha se të gjithë kanë dorëzuar dorëheqjet dhe se nga sot nuk ka më serb në Policinë e Kosovës në veri”.

Kolegët e tjerë të tyre pritet të japin dorëheqjen nesër.

Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme, eprorët që punojnë në Policinë e Kosovës e që kanë qenë të pranishëm në këtë takim me Listën Serbe kanë zhveshur menjëherë uniformat e tyre.