Kurti kërkon nga Kuvendi të nxjerrë rezolutë të përbashkët kundër referendumit serb

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur nga kryeministri Albin Kurti, pritet të nxirret një rezolutë e përbashkët e deputetëve lidhur me referendumin e Serbisë në Kosovë.

Seanca pritet të mbahet këtë të shtunë duke filluar nga ora 14:00.

“Diskutimi nga kjo seancë ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi çështjen e lartshënuar”, njoftoi Kuvendi të premten, përmes një komunikate për media.

Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në seancë, Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është deklaruar, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka konfirmuar pjesëmarrjen.

Ndryshe, të premten Shtetet e QUINT-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje për referendumin e 16 janarit në Serbi.

Përmes një komunikate, thuhet se ato mirëpresin referendumin kombëtar të Serbisë për ndryshimet kushtetuese duke vlerësuar si hap kyç për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit.

“Vërejmë me keqardhje se qeveria e Kosovës nuk ka lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të mbledhë fletëvotimet e votuesve me të drejtë vote që jetojnë në Kosovë për referendumin e ardhshëm, në përputhje me praktikën e kaluar.

Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të lejojë serbët në Kosovë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në zgjedhje dhe procese zgjedhore në përputhje me këtë praktikë të vendosur”, thuhet ndër tjerash në komunikatë.

Lidhur me këtë, Ambasadorët e QUINT-it kanë shkuar në takim me kryeministrin Kurti, presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca.

Serbia po organizon referendum për ndryshime kushtetuese dhe qëllimi i tyre ishte që përmes OSBE-së të organizonin referendum edhe në territorin e Kosovës, diçka e papranueshme për Qeverinë e Kosovës, e cila e ka kundërshtuar organizimin.

Në kundërshtim të mbajtjes së referendumit në Kosovë, Qeveria e Kosovës dhe institucionet të tjera kanë qenë edhe pas kërkesë së ambasadorëve të QUINT-it që votimi të lejohet./SHQIP.com