Konjufca: Dorëheqjet e serbëve ndërlidhen me planin franko-gjerman

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës janë të orkestruara nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Përmes një prononcimi për media, Konjufca tha se këto veprime kanë për qëllim që të mbulohet fakti se zyrtarisht Serbia ka refuzuar planin franko-gjerman.

“Mendoj që përpjekja e Vuçiqit ka filluar ditën e djeshme vetëm për një arsyeje. Arsyeja e vërtetë e orkestrimit të krejt këtyre akteve është me e mbulu atë që ka qenë thelbësore në ditën e djeshme. Thelbësore në ditën e djeshme është që Serbia dje zyrtarisht e ka refuzuar planin franko-gjerman. Unë mendoj që Serbia të gjitha këto po i orkestron për të filluar një fazë të re politike në Kosovë”, tha Konjufca.

Konjufca tha se situata e sigurisë në Kosovë është në kontroll.

“Mendoj që situata e sigurisë në Kosovë është në kontroll. Policia e Kosovës është e pranishme në atë pjesë të territorit të Kosovës, edhe në kufi, edhe në doganat tona të cilat janë pikat ku hyhet në Kosovë. Përpjekja e Vuqiqt është për me kriju një republikë serbe në Republikën e Kosovës”.

Kryesuesi i Kuvendit tha se nëse qëllimi i Serbisë ka qenë që ta qojë Kosovën në zgjedhje ose ta destabilozojë atë, kjo nuk është e mundshme.

“Nëse ky ka qenë qëllimi i Serbisë dhe Vuçiqit që të shkaktojë në Kosovë zgjedhje apo destabilizim, atëherë mendoj që kjo jo vetëm që nuk është e mundshme, por besoj që edhe i gjithë spektri politik është i bashkuar në Kosovë që kjo është e palejueshme. Shpresoj të kemi edhe me opozitën një pajtueshmëri që ky do të ishte seriozisht një cenim serioz i themeleve të funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Nuk e përjashtoj që Vuçiqi, dhe Serbia e Daçiqi e ata tjerët mund të kenë qëllimë të tilla, mendoj që përball qëllimeve të tilla duhet ta kemi një konsensus kombëtar elementar të mos biem pre e këtyre përpjekjeve të cilat nuk i përjashtoj”.

Konjufca ka thënë se me dorëheqjen e Listës Serbe nga Kuvendi i Kosovës nuk ka kurrfarë rrezikimi të rendit kushtetues.

“Nuk ka asnjë hendek kushtetues dhe nuk rrezikohet Kuvendi i Republikës së Kosovës e as nuk mund ta sfidojnë nëse ky ka qenë qëllimi. Nuk po dua të paragjykojë por edhe nëse ju doni të spekuloni që ky ka qenë qëllimi që të dëmtohet rëndi kushtetues i Kosovës, unë mund t’i garantojë qytetarët që rendi kushtetues me këtë dorëheqje nuk preket aspak”.

Konjufca tha se fakti që Kuvendi ka vetëm 110 deputetë për momentin, nuk është jokushtetuese.

Gjatë ditës së sotme, deputetet e Listës Serbe kanë dorëzuar mandatet e tyre në Kuvendin e Kosovës.

Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës thuhet se dhjetë deputetë nga Lista Serbe kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre dhe ato janë të parevokueshme.

Dorëheqjet e tyre i kanë ofruar edhe rreth 150 zyrtarë të komunitetit serb në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Kujtojmë se Lista Serbe ka bojkotuar institucionet e Kosovës pas vendimit të Qeverisë për pezullimin nga puna drejtorin rajonal të Policisë në veri, Nenad Gjuriq.

Po të njëjtën ditë, shumë pjesëtarë të komunitetit serb në Policinë e Kosovës kanë zhveshur uniformat e tyre.

Dorëheqjet e tyre kanë vazhduar edhe në ditët pasuese – në mesin e dorëheqjeve janë edhe ato të katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe.

Dje është mbajtur edhe një protestë ne veri të Kosovës në të cilën u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Lista Serbe ka njoftuar se ata nuk do të kthehen në institucione derisa të largohet vendimi për targat si dhe deri në formimin e Asociacionit.