KMDLNj për vrasjen e gruas në QKUK: Dështim i mekanizmave mbrojtës të shtetit

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas KMDLNj-së vrasja e gruas erdhi si pasojë e drejtpërdrejtë e dështimit të mekanizmave mbrojtës të shtetit.

KMDLNj kërkon që Policia e Kosovës të arrestojë të dyshuarin për vrasje dhe në bashkëpunim me institucionet tjera përgjegjëse ta nxjerrin para organeve të drejtësisë.

Tutje, KMDLNj ka kundërshtuar deklaratat e politikanëve në lidhje me rastin.

“Politikanët nuk duhet të ndërhyjnë në punët e hetuesisë dhe drejtësisë përmes deklaratave të një folklori politik. Vetëm organet e drejtësisë kanë detyrim dhe kompetencë që pasi të përfundojnë hetimet të marrin një vendim në bazë të provave të proceduara”, thuhet në reagimin e tyre.

KMDLNj, po ashtu kërkon të bëhen hetimet se cilat hallka të zinxhirit institucional përgjegjëse për jetën e të ndjerës kanë dështuar dhe të merren masa konkrete në bazë të shkallës së përgjegjësisë.

KMDLNj vlerëson se po të ishte respektuar dhe mbikëqyrur urdhri për mbrojtje do të kishte siguri për viktimën.

“Lëshimi më i madh është bërë për faktin se të dyshuarit nuk i ishte vendosur unaza elektronike, baza juridike për të për të cilën ekziston e që parashihet me Ligj që ishte miratuar para dy vjetëve. Zinxhiri i përgjegjësisë është i gjatë dhe çështja nuk përmbyllet me arrestimin e të dyshuarit për vrasje”, thuhet tutje nga KMDLNj.

Ndërkaq, Policia e Kosovës, deri tani ka gjetur vetëm veturën e të dyshuarit për vrasjen e gruas.