Hoti: Përpjekjet tona kanë sukses vetëm kur kemi mbështetjen nga miqtë euro-atlantik

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se çdo veprim të cilin e ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës ka pasur sukses atëherë kur është mbështetur nga miqtë euro-atlantik.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti përmendi edhe pavarësinë e shpallur në vitet e 90’ta.

“Kosova ka pasur gjithmonë të drejtë në çdo veprim që ka ndërmarrë në 30 vitet e fundit në përpjekjet e veta për të fituar fillimisht lirinë, e mandej shtetin e pavarur dhe fuqizuar sovranitetin shtetëror, rendin dhe ligjin. Por përpjekjet tona kanë pasur sukses vetëm kur janë koordinuar dhe mbështetur nga miqtë euro-atlantik. Ne e kemi shpallur njëherë pavarësinë në fillim të viteve të ‘90-ta. Mandej e kemi shpallur prapë më 2008, për shkak se herën e parë nuk ka pasur mbështetje nga miqtë”, tha Hoti.

Ndërsa, për vendimin e targave Hoti thotë se është i drejtë por që nuk e ka mbështetjen e ‘miqve’.

“Në veprimet e ndërmarra lidhur me targat e automjeteve në komunat në veri, Kosova ka plotësisht të drejtë. Këtë e kanë konfirmuar edhe miqtë. Por është e qartë se Kosova nuk e ka mbështetjen e miqve për kohën e ndërmarrjes së këtyre veprimeve”.

Sipas Ish-kryeministrit, çdo veprim edhe nëse është i drejtë por nuk e ka mbështetjen, bije në situate ku KFOR-I dhe EULEX-i duhet të ruajnë sigurinë në vend.

Nëse këto veprime të Qeverisë, që janë të drejta por që nuk e kanë mbështetjen e miqve vetëm sa i përket kohës së ndërmarrjes së tyre, çojnë në situatë kur në vend të institucione të Kosovës aktivizohet KFOR-i e EULEX-i për të ruajtur rendin dhe sigurinë në ato komuna, atëherë është e qartë se kjo politikë e Qeverisë nuk i ka shërbyer interesave të shtetit të Kosovës.

Më shumë se 300 policë serbë nga veriu i Kosovës kanë hequr uniformat e policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës sot rreth orës 14:00.

Pas kësaj, një nga policët iu drejtua gazetarëve të mbledhur dhe “u tha se të gjithë kanë dorëzuar dorëheqjet dhe se nga sot nuk ka më serb në Policinë e Kosovës në veri”, raporton Kosovaonline.

Kolegët e tjerë të tyre pritet të japin dorëheqjen nesër.

Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme, eprorët që punojnë në Policinë e Kosovës e që kanë qenë të pranishëm në këtë takim me Listën Serbe kanë zhveshur menjëherë uniformat e tyre.