Haradinaj: Kurti nuk është i interesuar për sigurinë e Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk është me aleatët e sigurisë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë të interesuar për sigurinë e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes zyrtarëve të saj, që nga Ambasadori Hovenier e deri te Sekretari i Shtetit z.Blinken, kërkuan nga Kosova pezullimin e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale; Kësaj kërkese iu bashkuan edhe vendet e QUINT-it por edhe vendet e tjera të NATO-s, aleate tonat në siguri; Kjo kërkesë nuk është vetëm politike por garanton sigurinë e vendit tonë e veçanërisht sigurinë e rendin në veri të vendit; Ata që dalin jashtë kësaj kërkese nuk punojnë në interes të sigurisë së vendit tonë e as të zbatimit të ligjit. Kurti me demagogët e vet, qoftë në qeveri e qoftë jashtë saj, nuk janë me aleatët e sigurisë dhe as nuk janë të interesuar për sigurinë e Republikës së Kosovës”, shkroi Haradinaj.

Tutje, Haradinaj tha se menjëherë duhet të pranohen kërkesat e partnerëve ndërkombëtar për targat.

“Kjo situatë është bardh e zi. Në vend që të vazhdohet me demagogji, menjëherë duhet të pranohet kërkesa e Amerikës, QUINT-it dhe aleatëve të tjerë të NATO-s për shtyrjen e vendimit për targat deri në Marrëveshjen Finale për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që deri me 21 nëntor të bëjë qortimin ndaj shoferëve të cilët vozisin automjete me targa të lëshuara nga autoritetet e Serbisë e që cilësohen ilegale në Kosovë.

Pas datës 21 për të vazhduar deri me 21 janar është masa për shqiptimin e gjobave ndaj këtyre shoferëve. Për dy muaj të tjerë do të ketë tabela testuese si dhe lehtësira në regjistrim deri me 21 mars por, pas kësaj date nuk do të ketë më lehtësira.

Data 21 prill e vitit të ardhshme shënon afatin e fundit që lejon qarkullimin e automjeteve me targa ilegale Brenda territorit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës patën kërkuar nga Kosova shtyrje të afatit për targa pork jo kërkesë nuk u merr parasysh.

Të njëjtën linjë me SHBA-në qëndron edhe Bashkimi Evropian – Ata e quajnë legjitim vendimin për targa por thonë se kjo duhet të  bëhej Brenda një periudhe kohore prej 12 muajsh.

Kjo situatë ka ndikuar edhe në gjendjen në veri të Kosovës – Qeveria ka pezulluar drejtorin e Policisë Rajonale në Veri Nenad Gjuriq për shkak se nuk e zbatonte vendimin për qortim ndaj qytetarëve serb.

Në shenjë proteste, Lista Serbe ka kërkuar që të gjithë serbët të bojkotojnë institucionet e Kosovës. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë zhveshur dje uniformat e tyre.

Nga detyra e ministrit të Kosovës ka dhënë dorëheqje edhe Goran Rakiq, ndërsa gjatë ditës së sotme kësaj ju janë bashkuar edhe katër kryetarët e komunave me shumicë serbe.

Sot gjatë ditës është mbajtur edhe një protestë në veri, nga e cila u kërkua formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.