Escobar sot takohet me liderët e opozitës

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar gjatë ditës së sotme pritet të takojë tre liderët e partive opozitare.

Ky takim me liderët e opozitës vjen pas takimeve me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti si dhe me Listën Serbe.

Pas takimit të zhvilluar me presidenten, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, ai është shprehur se kjo vizitë është e rregullt.

“Nuk kam ndonjë koment. Jam pjesë e një angazhimi rutinor tashmë këtu. Jemi partnerë të mirë dhe është bukur që të qëndrojmë në komunikim të vazhdueshëm. Do të kem më shumë të them pak më vonë pasi do të kemi edhe disa takime, pastaj do të dikutojmë” ka thënë Escobar.

Vizita e emisarit amerikanë ndodh në kohën kur situata në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe është e tensionuar.

Në këtë vizitë ishte planifikuar të ishte edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet. Megjithatë, ky i fundit, anuloi vizitën në Kosovë e rajon, pasi njoftohet se doli pozitiv me COVID-19.