Demi: Kush është ai zyrtar publik që guxon me i nda 11.5 milionë euro në kundërshtim me ligjin?

Drejtori i Institutit GAP, Agron Demi

Drejtori i Institutit GAP, Agron Demi

Agron Demi nga Instituti GAP ka reaguar lidhur me mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transferëve.

Përmes një postimi në Facebook, Demi ka thënë se ‘nëse ligji e thotë se gjatë kohës së grevës grevistat nuk marrin pagë, kush është ai zyrtar publik që ka guximin me i nda mbi 11.5 milionë euro në kundërshtim me ligjin’.

“Për ata që sistem besimi e kanë se ‘ligji është si llastiku’, a paguhen grevistat a jo është krejt çështje e tekeve. Ani pse një teke e tillë kushton 11.5 milionë euro (pagat mujore neto të të gjithë mësimdhënësve). Nëse ligji e thotë qartë se gjatë kohës së grevës grevistat nuk marrin pagë, kush është ai zyrtar publik që ka guximin me i nda mbi 11.5 milionë euro në kundërshtim me ligjin?’, shkroi Demi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka vendosur që për mësimdhënësit të cilët nuk kanë punuar dhe kanë qenë në grevë të mos paguhen.

Gjatë ditës së sotme, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë që komoensim do të ketë vetëm për ata të cilët kanë punuar.

Mirëpo Nagavci ja ka lënë ‘fajin’ komunave për mosekzekutimin e pagave me arsyen se nuk i kanë dërguar të dhënat në Ministrinë e Financave.

Opozita në Kosovë e ka quajtur si jo të drejtë vendimin për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka paralajmëruar edhe kallëzim penal ndaj ministrit Hekuran Muratit.