Begaj zhvillon bisedë telefonike me Osmanin, temë diskutimi situata në veri

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka zhvilluar bisedë telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në këtë bisedë tema kryesore ka qenë situata e fundit në veri të vendit.

“Sot zhvillova një bisedë telefonike me homologen Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës. Gjatë bisedës u informova mbi situatën e tensionuar në Veri të Kosovës dhe kryesisht u ndalëm në dorëheqjen e përfaqësuesve të Listës Serbe në Kosovë nga institucionet shtetërore dhe bllokimin e funksionimit të tyre” ka shkruar Begaj.

Më tutje Begaj është shprehur se ai i ka shprehur shqetësimin Osmanit dhe njëkohësisht e ka inkurajuar për vazhdimin e dialogut mes palëve.

“I shpreha shqetësimin Presidentes Osmani dhe njëkohësisht inkurajova vazhdimin e dialogut mes palëve, duke patur në vëmendje ruajtjen e paqes dhe stabilitetit si dhe të integritetit territorial të Kosovës të garantuara nga NATO”, ka bërë të ditur Begaj.

Serbët në veri të vendit gjatë ditës së sotme kanë mbajtur protestë në sheshin kryesor “Car Lazar”.

Në këtë tubim të organizuar nga ora 12:00, Kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, ish-ministër për Kthim në Qeverinë e Kosovës, ka bërë thirrje që të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë, dhe të zbatohet Marrëveshja e Brukselit.

Pas largimit nga institucionet e Kosovës gjatë ditës së djeshme, dhe dorëheqjes së Goran Rakiçit nga pozita e ministrit në Qeverinë e Kosovës, sot gjatë ditës edhe Kryetarët dhe këshilltarët e katër komunave veriore kanë dhënë dorëheqje.

Dorëheqje këtë mëngjes kanë dorëzuar edhe kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit.

Po ashtu se gjatë ditës së djeshme, policët serbë në Veri kanë dorëzuar detyrën, duke zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka ftuar qytetarët serbë ta ruajnë qetësine e sigurinë.

Sipas tij Lista Serbe është vegël e presidentit Vuçiq, që e kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës.

Rakiq tha se këto vendime do të jenë në fuqi derisa Qeveria e Kosovës  të tërheqë vendimin për tabelat dhe të formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe.

Në anën tjetër, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme.