AKK: Të procedohen pagat për mësimdhënësit, qasja e nivelit qendror është në kundërshtim me ligjin

Asociacioni i Komunave të Kosovës i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të procedoj pagat për mësimdhënësit.

Përmes një komunikate për media, AKK-ja tha se qasja e nivelit qendror është në kundërshtim me ligjin.

“Kjo qasje e nivelit qendror është në kundërshtim me praktikat e deritanishme të bazuara në ligjet pozitive në Kosovë. Deri më tani, në asnjë rast nuk ka ndodhë të kemi ndalesa të pagave të punëtorëve të asnjë sektori me të cilin menaxhojnë komunat, pa veprimin ligjor paraprak të vetë punëdhënësit. Bordi i AKK-së i bën thirrje Qeverisë të veprojë urgjentisht në procedimin e pagave sipas akteve ligjore në fuqi dhe të praktikuara deri tani”, thuhet në reagimin e AKK-së.

Megjithatë, në reagim thuhet se komunat e Kosovës janë duke u goditur padrejtësisht në këtë garë që sipas tyre është e panevojshme.

“Komunat e Kosovës, padrejtësisht edhe kësaj radhe po goditen në këtë garë të panevojshme ku humbësit më të mëdhenj janë nxënësit e Kosovës. Mos ekzekutimi i pagave është qasje e panevojshme dhe nuk shkon në dobi të stabilizimit të procesit arsimor”.

Bordi i AKK-së ka theksuar se komunat janë punëdhënëse ndërsa, Ministria e Financave, Punës dh e Transferëve është ekzekutuese e pagave.

“Bordi rithekson se Komunat janë punëdhënëse e përgjegjëse për vijueshmërinë në punë dhe përgjegjëse për ndalesat eventuale sipas legjislacionit në fuqi. MFTP-ja është vetëm ekzekutuese e pagesave, jo edhe ndërmarrëse e veprimeve të njëanshme pa asnjë vendimmarrje të punëdhënësit, në këtë rast Komunave”.

Mosekzekutimi i pagave për mësimdhënësit nga ana e Qeverisë, ka krijuar ndarje sa i përket qëndrimeve edhe brenda deputetëve të partisë në pushtet.

Pas Eman Rrahmanit dhe Alban Bajramit, ka reaguar edhe deputeti Gramos Agusholli, që vjen nga qyteti i Pejës.

Për Shqip.com, Agusholli është shprehur se mosekzekutimi i pagave nuk do duhet të ndodhte për shkak të gjendjes ekonomike në Kosovë, ani pse ligjërisht është i drejtë.

“Unë mendoj se si veprim ligjërisht është i drejtë, por a duhet të aplikohet, mendoj se jo, për shkak të situatës ekonomike”, tha Agusholli.  

Por në anën tjetër sipas deputetit Agusholli, ekzekutimi i pagave duhet të bëhet vetëm pasi që mësimdhënësit të premtojnë se orët e humbura do të kompensohen gjatë javëve në vazhdim.

Veprimet e fundit të Qeverisë kanë nxitur reagime edhe nga partneri qeverisës i VV-së. Ditën e djeshme, deputetja Statovci dhe deputeti Avdyli, kanë dalur kundër vendimit për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit në Kosovë.