Lajme

Lista Serbe pezullon punën në institucionet e Kosovës

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Goran Rakiq ka deklaruar se ata do të ngrijnë pozitat e tyre në Qeverinë e Kosovës derisa të shfuqizohet vendimi për suspendimin e gjykatës serbe, Liljana Svetanoviq  e cila mori pjesë në takimin e Këshillit të Sigurisë në Beograd.

“Edhe ne, përfaqësuesit e serbëve do ta suspendojmë vetën nëpër institucione, deri sa gjyqtarja të kthehet në punë. Këta njerëz janë të shqetësuar mirëpo nuk janë të frikësuar. Kemi përjetuar shumëçka. Kurti dhe Bislimi kanë shkatërruar marrëveshjen e Brukselit. Derisa të jetë gjyqtarja e suspenduar atëherë edhe ne jemi të suspenduar. Kërkojmë kthimin e saj në punë”, ka thënë ai.

Ndryshe Këshilli Gjyqësor ka suspenduar nga detyra kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Svetanoviq pasi ajo morri pjesë në një takim në Beograd ku i pranishëm ishte edhe Milan Radojçiq i cili është i kërkuar nga drejtësia kosovare.

Serbët janë duke protestuar kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës e cila nuk ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e saj.

Serbët konsiderojnë se me këtë vendim është shkelur e drejta e tyre. Mirëpo Qeveria e Kosovës insiston se për lejimin e zgjedhjeve duhet të ketë marrëveshje ndërmjet dy shteteve.

Qeveria ka propozuar dy alternativa tjera për votim siç është votimi me postë dhe votimi nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse në Kosovë.