Lajme

Lista Serbe: Nuk marrim pjesë në zgjedhjet në veri të Kosovës sepse kërkesat tona nuk janë realizuar

Lista Serbe

Lista Serbe ka njoftuar sot se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës, për shkak se nuk janë përmbushur kërkesat e tyre.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar njoftim partisë sonë politike se nga data 9 deri më 18 mars është afati i fundit për regjistrimin e partive për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës. Në këtë drejtim shfrytëzojmë rastin që të t’i informojmë qytetarët se partia jonë politike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sepse nuk janë përmbushur kërkesat për të cilat jemi larguar nga institucionet e Kosovës dhe nuk do të marrim pjesë në zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat tona legjitime”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Është më se e qartë se Prishtina dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë duke u përpjekur që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb, thuhet më tutje në reagim.

Theksojmë se Zgjedhjet në veri të Kosovës janë planifikuar të mbahen gjatë muajit prill.

Shtyrja e tyre ishte bërë me vendim të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani pas konsultimeve me partitë politike dhe kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

/Shqip.com