Lajme

Lista Serbe e quan “rrëmbim” arrestimin e të dyshuarit serb për sulm ndaj KFOR-it

Pasi Policia e Kosovës arrestoi të dyshuarin serb, Nenad Orloviq, për përfshirje në dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it, Lista Serbe ka reaguar duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti për “arrestime të pabaza dhe arbitrare me synimin e dëbimit të serbëve nga Kosova”.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, ka reaguar pasi Policia e Kosovës të premten ka arrestuar të dyshuarin Nenad Orloviq, si të dyshuar për përfshirje në dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj.

Lista Serbe, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, e ka cilësuar arrestimin e të dyshuarit për sulm ndaj KFOR-it si “rrëmbim” të “një tjetër serbi të nderuar”.

Po ashtu, partia ka akuzuar Qeverinë e Kosovës se “arrestimet e pabaza” po shfrytëzohen si një mënyrë për të dëbuar serbët nga Kosova dhe për të krijuar frikë në bashkësinë ndërkombëtare.

“Arrestimet e pabaza dhe arbitrare po përdoren si metodë e dëbimit të të gjithë serbëve nga Kosova, para syve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare që me heshtje i dha hapësirë Kurtit të merret me serbët. Nenadi i cili është familjar, baba i katër fëmijëve ka punuar me kohë të pjesshme në një lavazh për të qëndruar në Kosovën e tij dhe për të mbajtur fëmijët e tij. Arrestimi i tij vazhdon planin e Kurtit me të cilin gjysma e serbëve duhet të dëbohen dhe gjysma të arrestohen”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Lista Serbe u ka bërë thirrje forcave të EULEX-it dhe KFOR-it të vijnë në Kosovë sa më shpejt të jetë e mundur, për të garantuar paqen dhe sigurinë për të gjithë qytetarët, sipas tyre, duke parandaluar Kurtin të shkaktojë kaos dhe tensione në rajon.

Ata kanë theksuar se është detyrë dhe obligim i forcave ndërkombëtare të mbrojnë qytetarët, pa dallim kombësie, nga dhuna institucionale e ushtruar nga kryeministri i Kosovës.

/Shqip.com