Lajme

Lirohet nga spitali njëri polic i lënduar në incidentin me Lushtakët, tjetri vazhdon të trajtohet

Ilustrim

Njëri nga policët e plagosur në incidentin në Skenderaj është liruar sot nga spitali derisa tjetri është ende duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë.

Polici ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Lajmin e kanë konfirmuar nga zyra për media e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.

“Zyra për informim e SHSKUK,  ju informon se njëri është lëshuar në shtëpi pas tretmanit që ka marrë, kurse tjetri po vazhdon trajtimin në Klinikën e Ortopedisë”, thuhet në përgjigjen për Kallxo.com.

Theksojmë se në incidentin në Skenderaj janë plagosur dy zyrtarë policorë.

Njëri nga ta u plagos me armë e tjetri pësoi lëndime trupore nga goditjet me mjet të fortë.

Nuredin Lushtaku

Të përfshirë në këtë incident dyshohet të kenë qenë ish-nënkryetari i komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku me vëllezërit e tij, Faton e Arfi Lushtaku.

Gjykata Themelorë në Mitrovicë ka vendosur që ndaj Lushtakut dhe të tjerëve të caktohet masa e paraburgimit prej 30-të ditëve.

Lexo edhe:
Nuredin Lushtakut dhe të tjerëve u është caktuar masa e paraburgimit prej 30-të ditëve

Çka ndodhi më 2 korrik 2022?

Në mesnatën e 2 korrikut ka ndodhur një përleshje fizike në Skenderaj mes dy policëve dhe disa personave.

Siç ka raportuar Policia e Kosovës, ngjarja kishte ndodhur pas shqiptimit të gjobës ndaj A.L (i biri i ish-nënkryetarit të komunës së Skenderajt, Nuredin Lushtaku).

Përleshja kishe nisur fizikisht duke përfunduar me armë zjarri e mjete të forta.

“Lidhur me rastin janë intervistuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi që të njëjtit pas shqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik kanë sulmuar dy zyrtarë policorë. Njëri nga zyrtarët ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, ndërsa zyrtari tjetër nga një mjet i fortë. Viktimat janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes si dhe gjatë bastisjes nga njësitet policore janë konfiskuar dëshmi/provave materiale. Me vendim të prokurorit, dy të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy të tjerët janë liruar”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.

Nga kjo përleshje, të plagosur kanë mbetur dy zyrtarë të Policisë të Kosovës të cilët kanë pranuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës./Shqip.com