Lajme

Lirohet nga paraburgimi Enver Sekiraqa, dërgohet në arrest shtëpiak

Enver Sekiraqa
Enver Sekiraqa

Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim që Enver Sekiraqa, i dyshuari kryesor për vrasjen e policit, Triumf Riza, të lirohet nga paraburgimi.

Lajmin për Shqip.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi, e cila ka bërë të ditur se atij i është zëvendësuar masa e paraburgimit me arrest shtëpiak.

Foto nga gjykimi ku Enver Sekiraqa akuzohet se nxiti vrasjen e Rizës

Tutje, ajo ka bërë të ditur se Sekiraqa do të qëndrojë në arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej dy muajsh, nga dita kur është marrë vendimi.

“Po, ai është liruar nga paraburgimi për në arrest shtëpiak, Kjo do të zgjasë 2 muaj, nga dita e sotme kur është marrë vendimi”, tha Gashi.

Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë, e kishte shpallur fajtor për herë të dytë Sekiraqën në shtator të vitit 2019 dhe e kishte dënuar me burgim prej 30 vitesh.

Lexo edhe:
Adelina Ismaili nuk paraqitet në gjykatë për të dëshmuar në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës

Por, Gjykata e Apelit kishte vendosur që të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, sepse sipas Gjykatës, aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Ndryshe, në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Sekiraqës për tri vepra penale, për “nxitje” në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Lexo edhe:
I vazhdohet paraburgimi Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet./SHQIP.com