Lajme

Lirohet nga aktakuza ish-drejtori i Emergjencës, Basri Lenjani

Ish-drejtori i Emergjencës në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Basri Lenjani

Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim ka liruar nga akuza për mosdeklarim të saktë të pasurisë Basri Lenjanin, ish-drejtor i Emergjencës në Shërbimin Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar mbrojtësja e Lenjanit, avokatja Ardita Morina. Ajo ka thënë se sot Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur aktgjykimin.

“Po e ka liru sot gjykata nga akuza”, tha avokatja Morina.

Tutje avokatja Morina tha se arsyet e lirimit nga akuza pritet të dihen kur do t’i dorëzohet palëve aktgjykimi në formë të shkruar.

Gjykata e Apelit në Prishtinë e kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj Lenjanit për shkak të veprës penale “Mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare”.

Ndërkaq Gjykata Themelore paraprakisht e kishte dënuar me 6 muaj burgim dhe me 500 euro gjobë për veprën penale mos raportim i pasurisë.

Në seancën fillestare të mbajtur më 10 maj 2022 i akuzuari Lenjani është deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Aktakuza e përpiluari nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkonte Lenjanin se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik nuk e kishte deklaruar saktë pasurinë për vitin raportues 1 janar deri me 31 dhjetor 2019, në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK). /BetimipërDrejtësi

/Shqip.com