Lajme

Lirohet Molliqaj dhe aktivistët e tjerë të PSD-së

Gjashtë aktivistët e Partisë Socialdemokrate (PSD), përfshirë kryetarin e kësaj partie, Dardan Molliqaj, janë liruar këtë të premte.

Ata janë arrestuar gjatë protestës së PSD-së më 29 nëntor 2023, kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova në Prishtinë.

Lajmi për lirimin e tyre është bërë i ditur nga vetë kryetari i PSD-së në një postim në Facebook.

 “Unë, Zgjimi, Noli, Agroni, Korabi e Genti sapo u liruam. Dhuna jo-proporcionale e policore u pa. Ajo nuk ka justifikim. Duke u munduar t’i dëshmohen kryetares së gjykatës, u vendosëm padrejtësisht në mbajtje dhe ngarkohemi për gjëra të paqena. Këtë e di Gjykata, por qëllimi ishte që ne të izoloheshim për sa kohë që Trendafilova është në Kosovë. Kjo nuk ka lidhje me drejtësi”, ka shkruar Molliqaj.

Ai ka akuzuar Gjykatën në Hagë se “sa më tepër që po mundohet ta rregullojë imazhin, aq më tepër po del në pah sa politike dhe anti-UÇK”.

“E vërteta nuk lejon makiazhin. Maskë nuk ka më. Ajo u pa. Ju faleminderit shumë për mbështetjen e treguar”, ka shkruar tutje kreu i PSD-së.

/Shqip.com