Sport Shqiptar

Liridon Leci i pakënaqur me Përfaqësuesen e Kosovës

Liridon Leci

Përfaqësuesja  e Kosovës në futboll, nuk po arrin asesi që të gjejë vazhdueshmëri të rezultateve pozitive.

Dardanët u mposhtën nga Jordania me rezultat 0-2, në miqësoren e zhvilluar të mërkuren në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan Shqip.com.

Sipas ish-futbollisit të njohur, Liridon Leci, disa futbollistë nuk e meritojnë që të luajnë në Përfaqësuese.

“Ndoshta edhe dikush prej futbollistëve nuk duhet të ftohen fare në Kombëtare, për shkak që ta ndjejnë konkurrencën. Tek e fundit, ata po reprezentojnë një shtet siç është Kosova. Mendoj se duhet që shumë më shumë edhe futbollistët të jepin nga vetvetja”, tha ndër të tjera, Leci.

Ai po ashtu shtoi se Jordania ishte kundërshtar modest dhe se humbja ndaj tyre ishte një rezultat dëshpërues.

“Një ndeshje jashtëzakonisht e dobët. Mund të them edhe dëshpëruese. Jo vetëm se po e them unë, por për të gjithë ata që e kanë parë ndeshjen”, tha gjithashtu, ish-anëtari i Dritës.

Për fund, ai e shprehi mendimin e tij për trajnerin e Përfaqësues së Kosovës dhe tha se “Mendoj që duhet të kemi një trajner italian për shkak se ne kemi një sulm jashtëzakonisht të mirë, por kemi shumë probleme në mbrojtje. Siç dihet, trajnerët italianë punojnë shumë në mbrojtje”.

36 vjeçari i ka varur këpucët këtë sezonë, ndërsa në të kaluarën ka luajtur në skuadra të ndryshme si Drita, Pritshtina dhe së fundmi te Llapi./Shqip.com