Sport Ndërkombëtar

Liria fiton ndaj Ulpianës, pret të mësojë rivalin në barazh

Liria e ka bërë hapin e parë drejt rikthimit në elitën e futbollit kosovar. Prizrenasit sot kanë fituar ndaj Ulpianës me rezultat 3-1 dhe tani presin të mësojnë emrin e rivalit me të cilin do të luajnë në ndeshjen e barazhit, e që rival të mundshëm janë Trepça ’89 dhe Ferizaj.

Në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, rezultati u zhbllokua shumë herët.

Liria ka kaluar në epërsi që në minutën e 5-të, Edmond Likaj shënoi nga afërsia, me ndihmën e një devijimi nga mbrojtja e Ulpianës.

Pak pa u mbyllur pjesa e parë, Petrus Megameno e dyfishoi epërsinë e Lirisë (2-0).

Prizrenasit nuk u ndalën as në pjesën e dytë, duke shënuar sërish, kësaj radhe me Diellor Besenin për 3-0.

Ulpiana arriti vetëm ta ngushtojë rezultatin por pa e pasur forcën të kthehet në lojë deri në fund.

Gentian Emini shënoi nga afërsia në minutën e 88-të për 3-1, që ishte edhe goli i fundit në këtë ballafaqim.

/Shqip.com