Lajme

“Liri, Pavarësi, Demokraci”, Osmani e nis me fjalët e Rugovës adresimin në PE

Me fjalët “Liri, Pavarësi, Demokraci” të ish-presidentit Ibrahim Rugova, presidentja Vjosa Osmani ka nisur të mërkurën adresimin në Parlamentin Evropian.

Sipas presidentes Osmani, këto fjalë ishin vizioni i popullit të Kosovës, i cili u bë realitet.

Sot ai vizion i Rugovës, heronjve tanë dhe popullit tonë është realitet. Kosova sot është e lirë. Kosova sot është e pavarur. Dhe Kosova sot është një fener i demokracisë”, ka thënë Osmani para eurodeputetëve në adresimin e saj.

Përgjatë adresimit të saj, Presidentja Osmani riktheu në kujtesë periudhën e para 25 vjetëve më parë kur presidenti Rugova, atëkohë fitues i çmimit Saharov mbajti fjalim në PE.

Presidenti Rugova e konsideroi çmimin si njohje të sakrificës së popullit të Kosovës dhe luftës së tij për liri, por më e rëndësishmja ai përdori pikërisht këtë platformë për të kërkuar mbështetjen e deputetëve të atëhershëm për t’u bashkuar në emër të vlerave të cilat ky Union i përfaqëson. Ai kërkoi që Evropa të bashkohej në mbrojtje të një populli të shtypur”, ka thënë ajo.

Sipas saj ky fjalim i dha shpresë popullit të Kosovës.

Para eurodeputetëve, Presidentja Osmani, duke kërkuar mbështetjen e PE-së në rrugën evropiane të Kosovës, rikujtoi thënien e presidentit Rugova: “Shtëpia nuk mbahet pa miq”.

Në Parlamentin Evropian, presidentja Vjosa Osmani u është drejtuar edhe serbëve duke thënë se Republika e Kosovës është shtëpia e tyre.

Republika e Kosovës është shtëpia juaj. Do të bëjmë gjithçka që mundemi që të sigurohemi se ndiheni të përfshirë”, ka thënë Osmani.

Osmani ka thënë se integrimet euroatlantike janë synimet e vetme të Kosovës.

/Shqip.com