Lajme

Lipavsky: Çekia në krye të BE-së, çështja e liberalizimit të vizave erdhi në kohën e duhur

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavský

Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, thotë se pritjet e tij janë të larta që shtetet e Bashkimit Evropian të marrin vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Këto komente Lipavzy i tha gjatë konferencës për media së bashku me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

“Për ta kuptuar thjesht, është proces që përbëhet nga aspektet teknike dhe politike. BE-ja do të rishikojë pjesën teknike dhe presidenca çeke shpreson që aspekti politik të marrë vendim pozitiv. Pritjet e mia nga vendimet politike janë të larta dhe është shumë e lartë në agjendën time”, tha Lipavsky gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.

Ai shtoi se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, ka ardhur në një moment të duhur kur Çekia është në krye të BE-së.

“Vjen në kohën kur Çekia ka presidencën e BE-së, dhe Kosova është një nga prioritetet regjionale dhe përpjekjet tona fokusohen në progres dhe çështjen e liberalizimit të vizave dhe ta kuptojmë se duhet të bëhet ende punë por jemi në rrugë të mirë që të gjejmë përkrahje politike dhe ky proces të përfundojë. Presidenca çeke është duke punuar në këtë fushë dhe jemi duke e përkrahur këtë”, shtoi Lipavsky.

Në anën tjetër, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, është shprehur i bindur se Çekia do ta mbështes liberalizmin e vizave për Kosovën.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi

Bislimi ka thënë se vënia e Kosovës në agjendë për liberalizimin e vizave më 13 tetor është një hap shumë i rëndësishëm, por jo përfundimtar.

“E çmojmë faktin se e keni vendosur lartë agjendën e liberalizimit të vizave për Kosovën. Kosova do të jetë në agjendë më 13 tetor. Ky është hap i rëndësishëm, por jo përfundimtar.

Janë pesë procedura. Jemi të bindur se Çekia do ta shtyjë përpara këtë proces sa është në krye të BE-së. Ky është hap i rëndësishëm për qytetarët tanë. Procesi i liberalizimit është i rëndësishëm jo vetëm si simbolik, por edhe në politikë pasi do ta rritë kredibilitetin”, u shpreh Bislimi.

Bislimi shtoi se Kosova është e përkushtuar në procesin e dialogut me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve./Shqip.com