Lajme

Limaj i quan alarmante deklaratat e Simmonsit rreth EULEX-it

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj

Fatmir Limaj, ish i akuzuar nga EULEX-i, i konsideroi si alarmante deklaratat e ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, të bëra të hënën në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se në bazë të deklarimeve të tilla, mund të ketë shumë të tjerë të cilët mbahen padrejtësisht në burgje.

Simmons të hënën para deputetëve kosovarë tha se rastet “Drenica dhe “Kleçka” ishin turp i komunitetit ndërkombëtar.

Lidhur me këtë, Limaj në Info Magazine u shpreh se këto janë dëme të pariparueshme.

”Duhet të jetë alarmante për vendin. Nga ajo që dëgjova sot në atë dëshmi mendova me veten: A thua sa njerëz janë në burgjet e Kosovës që janë duke u mbajtur në mënyrë të padrejtë?”.

“Për çfarë shteti të së drejtës po flasim nëse në burgjet e Kosovës ka djem apo vajza janë të dënuara me direktiva dhe jo mbi bazën e provave dhe fakteve. Kjo është alarmante, flitet për jetën e njerëzve. Sa dëmi më është shkaktuar mua personalisht mua dhe disa njerëzve të tjerë, e që nuk riparohen edhe disa jetë me i pasë”, potencoi ai.

Sipas tij tashmë është në trend që të kundërshtohet e të sulmohet çdo gjë që ishte atdhetare e njerëzore./Shqip.com