Lajme “Kërcënimi me grevë në ndërprerje të procesit mësimor, në këtë kohë pas më se dy vite të një mësimi të cunguar në pandemi është i pasinqertë dhe i padrejtë ndaj fëmijëve pikë së pari”, thotë Rinor Qehaja nga Instituti "Edguard"

Ligji për Paga rrezikon t’i çojë nxënësit në shtëpi, greva e SBASHK-ut vlerësohet e “pasinqertë”

Ilustrim

Sistemi arsimor parauniversitar dhe ai universitar rrezikon t’i hyjë grevës së përgjithshme si ajo e vitit 2019-të.

Kjo mund të ndodh në rast se Qeveria e Kosovës nuk ua plotëson kërkesat punëtorëve të arsimit dhe nuk takohet brenda kësaj jave me përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj i tha SHQIP.com se më 2 prill do të mblidhen delegatët e Kongresit të kësaj Sindikate dhe mund të marrin vendim për ta çuar në grevë tërë sistemin arsimor.

“Më 2 prill është Kongresi dhe kam frikë që delegatët që janë përfaqësues të sistemit arsimor dhe kulturor do të marrin vendim për veprime sindikale duke mos përjashtuar dhe grevën e përgjithshme. Unë jam i sigurt që Kongresi do të marrë vendim për veprime sindikale”, tha Jasharaj.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj

Jasharaj, tha se për të ndërmjetësuar një takim me kryeministrin Albin Kurti, i janë drejtuar me një letër presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.

“ I kemi dërguar letër Presidentes dhe kryetarit të Kuvendit që ata të ndërmjetësojnë te Qeveria që të kemi dialog gjatë kësaj jave. Kërkojmë që Qeveria të bëjë një shtesë prej 100 euro për të gjithë të punësuarit në arsim që nga çerdhet deri në universitet e po ashtu edhe për të gjithë punëtorët e institucioneve të kulturës, ngase kemi rritje të vazhdueshme të rritjes së çmimeve”, u shpreh kryetari i SBASHK-ut.

Rinor Qehaja – Instituti “Edguard”

Rinor Qehaja, nga instituti “Edguard”, e quan “kërcënim”, paralajmërimin për grevë nga SBASHK.

Ai për SHQIP.com tha se një veprim i tillë është i pasinqertë ndaj nxënësve.

“Kërcënimi me grevë në ndërprerje të procesit mësimor, në këtë kohë pas më se dy vite të një mësimi të cunguar në pandemi është i pasinqertë dhe i padrejtë ndaj fëmijëve pikë së pari”.

Ndërsa, për çështjen e Ligjit të Pagave konsideron se do duhej të bëhej një komunikim më i mirë mes Sindikatës dhe Qeverisë.

“Rritja e pagave si reagim ndaj rritjes se çmimeve duhet të vie për të gjithë sektorët pa përjashtim. SBASHK-u është partner sindikal i qeverisë dhe besoj shumë që një komunikim më i hapur do të kishte reduktuar situata si kjo me kërcënime të tilla”, u shpreh Qehaja.

Për të njëjtën çështje, SBASHK-u kishte nis grevë më 19 janar 2019-të e cila zgjati për tri javë rresht.

Theksojmë se Qeveria ende nuk e ka bërë publik versionin final të Ligjit për Paga./Shqip.com