Lajme

Ligji i Pagave në Kushtetuese, LDK: Do të rrëzohen padrejtësitë e Kurtit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka mirëpritur veprimin e Avokatit të Popullit për dërgimin e Ligjit për pagat në sektorin publik në Gjykatën Kushtetuese. Nga kjo parti presin që Kushtetuesja të rrëzojë këtë ligj i cili hyri në fuqi në shkurt të këtij viti.

Avokati i Popullit kishte pranuar 104 ankesa nga subjekte të ndryshme të sektorit publik në lidhje me këtë ligj prandaj e dërgoi të premten në Kushtetuese, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

Ankesat e pranuara u tha se kishin të bënin kryesisht me uljen e koeficienteve, rrjedhimisht me zvogëlimin e pagave, heqjen e shtesave apo trajtimin joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj.

Sipas anëtarit të LDK-së, Xhafer Tahirit, institucioni i Avokatit të Popullit ka gjetur mjaftueshëm elemente që tregojnë se Ligji për paga ka shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut.

Ai thotë se ky ligj është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga një Avokat i Popullit qe është zgjedhur nga kjo qeveri.

“Avokati i Popullit ka gjetur mjaftueshëm elemente se ka shkelje të lirive dhe të drejtave të njeriut që ky ligj të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Është ky Avokat i Popullit që është emëruar nga kjo qeveri, jo nga një qeveri tjetër, edhe njëherë Gjykata Kushtetuese do të konfirmojë se Qeveria e Kosovës është për fat të keq recidiviste kur është fjala për shkeljen e Kushtetutës”, tha ai për Kosovapress.

Me Ligjin për paga, vlera e koeficientit të pagës në sektorin publik është caktuar të jetë 105 euro, gjë që ngjalli reagime të shumta, pavarësisht pretendimeve të zyrtarëve qeveritarë se pati rritje.

Më 5 shkurt 2023, pas një procesi, i cili, sipas Avokatit të Popullit, nuk ka qenë një proces transparent, i përgjegjshëm dhe as demokratik, Ligji për paga ka hyrë në fuqi.

/Shqip.com