Lajme

Liderët mblidhen për Konferencën e Sigurisë në Mynih, të pranishëm edhe Rama me Kurtin

Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, që do të mbahet për tre ditë radhazi, 16-18 shkurt.

Kreu i qeverisë është u nis sot drejt Mynihut, ndërsa një ditë më parë mbërriti edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Kosovën do ta përfaqësojë kryeministri Albin Kurti, ndërkaq Serbinë presidenti Aleksandër Vuçiç. Kjo është hera e dytë që të dy përballen pas vendimit të Kosovës për heqjen e pagesave me dinar serb.

Ky vendim ka hyrë në fuqi më 1 shkurt në mes të kritikave ndërkombëtare dhe Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mospërfillja e kërkesës amerikane për shtyrje të vendimit ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes Uashingtonit dhe Prishtinës.

Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla në një postim të ndarë rrjetin social X, shkruan se do jetë edhe ajo e pranishme dhe se do të zhvillojë se do të zhvillojë diskutime në Mynih “për disa nga sfidat më urgjente të sigurisë së sotme, duke përfshirë kërcënimet në rritje të sigurisë ndaj Kosovës dhe rajonit”.

Në Mynih për të shkëmbyer pikëpamje mbi disa nga sfidat më urgjente të sigurisë së sotme, duke përfshirë kërcënimet në rritje të sigurisë ndaj Kosovës dhe rajonit. Në takimet e nivelit të lartë, do të theksoj domosdoshmërinë për veprim për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, shkruan Gërvalla.

Nga ana tjetër, Kurti e Vuçiç do të zhvillojnë takime të ndara me Shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell Por, një takim i përbashkët i liderëve me ndërmjetësin evropian të dialogut, nuk është në agjendë.

Nuk është në planifikimet e mia, nuk është në agjendën time, por nëse do të ishte i mundur, ne do të ishim të lumtur. Në të kundërtën, unë duhet të tentoj ta arrij këtë [takimin Kurti-Vuçiq] diku tjetër”, tha Borrell në Mynih.

Pas vizitës në Tiranë, Blinken u nis drejt Gjermanisë për t’iu bashkuar punimeve të Konferencës së Sigurisë e cila mblidhet si çdo vit, por duket se këtë herë do të jetë ndër më të rëndësishmet në historinë 60-vjeçare.

E quajtur “Davosi i Mbrojtjes”, Konferenca e Sigurisë së Mynihut do të mbledhë rreth 60 krerë shtetesh dhe mbi 85 zyrtarë qeveritarë në qytetin bavarez për të diskutuar çështjet aktuale dhe të ardhshme të sigurisë globale.

Në fokus të diskutimeve do të jenë lufta në Rripin e Gazës dhe shqetësimin për zgjerimin e konflikteve në Lindjen e Mesme, lufta në Ukrainë dhe zgjerimi dhe forcimi i NATO-s.

Në takim do jetë i pranishëm edhe vetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

Presidenti i Izraelit Isaac Herzog dhe kryeministri palestinez Mohammad Shtayyeh do të flasin gjithashtu në konferencë.

Ministri i Punëve të Jashtme kineze Wang Yi, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe nënpresidentja e SHBA, Kamala Harris do të jenë ndër figurat e tjera kryesore politike të pranishëm.

Siguria është rritur në të gjithë qytetin, me 5,000 policë dhe automjete përforcuese të dukshme në shumicën e rrugëve kryesore.

Takimi i liderëve pritet të shoqërohet me protesta, ku qindra protestues pritet të mblidhen jashtë vendit ku zhvillohet konferenca, Hotel Bayerischer Hof, për të protestuar për atë që ata e quajnë shkelje të të drejtave të njeriut nga Irani.

/Shqip.com