Lajme

Liderët e BE-së i kërkojnë Serbisë dhe Kosovës që të ecin drejt normalizimit të marrëdhënieve

Bashkimi Evropian

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian i kanë kërkuar Serbisë dhe Kosovës të enjten që të bëjnë përparim drejt normalizimit të marrëdhënieve të tyre në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, duke këmbëngulur në respektimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, duke përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas konkluzioneve të liderëve evropianë pas një debati të shkurtër në samitin e kësaj të enjte, ka një “nevojë urgjente” që Beogradi dhe Prishtina të ndërpresin armiqësitë dhe të angazhohen për dialog të ndërmjetësuar nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Në çdo rast, krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së mirëpresin propozimin evropian për rifillimin e dialogut, duke këmbëngulur se është një “mundësi historike” që Beogradi dhe Prishtina duhet ta shfrytëzojnë “me synimin për të realizuar perspektivat e tyre evropiane”, shkruan Europapress.es

BE vendosi në tryezë një propozim të ri për të arritur përparim në negociata, një qasje që ka mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë dhe kërkon të zhbllokojë dialogun midis Serbisë dhe Kosovës.

Diplomacia evropiane shpreson të kanalizojë bisedimet për të arritur një pakt pas një dekade negociatash ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe në këtë mënyrë të krijojë një dinamikë të re në marrëdhëniet që redukton tensionet e vazhdueshme që shfaqen në veri të Kosovës.

/Shqip.com