Liburni pezullon pjesëmarrjen në gara
Klubi i futsallit, FC Liburni ka vendosur të mos marrë pjesë në gara për një kohë të papërcaktuar.
Klubi nga Gjakova një gjë të tillë e ka bërë të ditur përmes një njoftimi në Facebook, ku ka hedhur akuza në drejtim të Komisionit të Futsallit të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Liburni pretendon se gjyqtarët e caktuar për ndarjen e drejtësisë kanë ndikuar direkt që klubi të mos kurorëzohet me titull kampioni.
“Kryesia e klubit FC Liburn – Gjakovë në mbledhjen e rregullt të mbajtur me datë 02.08.2022 shqyrtoi gjithë ecurinë e klubit në kampionatin e Kosovës në futsal për vitin 2021-22 dhe duke qenë shumë të indinjuar me ngjarjet të cilat klubit po ju përsëriten sikur edhe dy vitet e kaluara mori vendim që. Të pezullojë përkohësisht të gjithë aktivitetin e tij sportiv deri në një vendim tjetër për të cilin do njoftoheni me kohë”, thuhet në njoftim.
Liburni garat e rregullta i përfundoi në vendin e parë, por u mposht në Play-Off./Shqip.com