Lajme

“Liberalizimi i vizave për Kosovën nuk pritet të hidhet në votim para 2022-tës”

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gëvalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, deklaroi të premten se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën, nuk pritet të hidhet në votim nga mekanizmat evropian, para pranverës së vitit 2022.

Kjo pasi sipas saj, në këtë periudhë Franca ka zgjedhjet dhe e njëjta është skeptike sa i përket kësaj çështje.

Gërvalla theksoi se ka unitet mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, me përjashtim të disa vendeve, që “Kosova i ka stërmbushur kriteret për liberalizimin e vizave”.

Lexo edhe:
Gërvalla për shkarkimin e ambasadorëve: S’kishim asgjë personale me asnjërin

“Fatkeqësisht një gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur. Janë vendime individuale të shteteve anëtare. Ne duhet të bëjmë atë çfarë ne mund të bëjmë. Që ne kemi bërë progres të dukshëm në plotësimin e kritereve të parapara”.

“Ne do të lusim shtetet anëtare që në fund të gjendet një moment të vihet në votim me qëllim që të shohim se ku jemi dhe cilat shtete i kemi ende skeptike, por kjo është një çështje që për shkak të zgjedhjeve në vende të ndryshme”.

“Gjermania sapo kreu zgjedhjet e veta, Franca ka zgjedhjet e veta në pranverën e vitit të ardhshëm, dhe unë do dëshiroja shumë por nuk besoj që para zgjedhjeve në Francë, të vihet në votim çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën në kuadër të mekanizmave evropiane”, deklaroi Gërvalla në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova.

Kryediplomatja kosovare foli edhe për njohjet e reja, duke thënë se “Kosova është në rrugë të mirë në këtë drejtim”.

Theksoi se janë duke punuar me intensitet për të arritur njohje të reja për vendin.

“Ne jemi në rrugë të mirë drejt njohjeve të reja, njohje mund të presim sapo të kemi arritur rezultate të në njohje te reja. Unë nuk do të flas për strategjinë që e bëjmë për njohjet, as nuk do të mund të flas për partnerët me të cilët bisedojmë, as nuk do të mund të flas se kush na ndihmon, mund të them se jemi duke punuar me intensitet”./SHQIP.com