Lajme

Liberalizimi i vizave, Kurti: E konfirmuam rrugën evropiane

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova brenda më pak se një jave e ka konfirmuar rrugën e saj evropiane.

Ai, në mbledhjen e sotme të qeverisë, e ka përmendur liberalizimin e vizave dhe pranimin e aplikimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Edhe këtë javë çdo qytetar i Kosovës është ndjerë më evropian dhe më afër Evropës, liberalizimi i vizave kishte ngecur për katër vjet. Me shumë punë dhe angazhim veçanërisht në raport me vendet hezituese, arritëm të zhbllokojmë këtë proces. Kosovarët do të mund të udhëtojnë edhe në 32 vende të tjera, përfshirë edhe Bullgarinë e Qipron edhe pse nuk janë pjesë e zonës shengen”, ka thënë Kurti.

Kurti ka shtuar se Kosova do t’i përmbush të gjitha kriteret që nevojiten për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Qeveri e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka miratuar Propozim-vendimin për aprovimin e ndarjes së mjeteve buxhetore për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë sipas Planit të Zbatimit për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike.

Ministri i Financave Hekuran Murati, tha se për këtë masa janë ndarë 10 milionë euro.

“Që ka të bëjnë me ndarjen e shumës prej 10 milionë euro për Fondin Kosovarë për efiçencë të energjisë. Kjo masë ka të bëjë më masën tre që parasheh shtrirjen e fondeve të BE në vlerë prej 75 milionë euro. Për ndërtesat banesore, mjete e ndara merren nga kontigjenca për energji dhe transferohen të Fondi Kosovarë, kjo ndarje bëhet nga marrëveshja IPA 2023”, tha ai.

Gjithashtu Qeveria ka shfuqizuar një vendim të 19 tetorit 2020, i cili siç tha ministri i Financave, Hekuran Murati, “pati ndaluar procedurat e blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në varësi të tyre”

/Shqip.com