Lajme Botë

Liban, mbyten tre fëmijë pas vërshimit të reshjeve të shiut

Tre fëmijë sirianë janë mbytur sot në një pellg pranë kampit të refugjatëve Kaa në Libanin lindor pas shirave të rrëmbyeshëm që goditën zonën.

“Dy vëllezër që po laheshin në pellg u mbytën, ashtu si kushëriri i tyre që u përpoq t’i shpëtonte”, tha kryetari i bashkisë.

Të tre djemtë ishin nën moshën 10 vjeç. Ata u gjetën nga ushtarët dhe u dërguan në spitalin e Hermelit, ku u deklaruan të vdekur.

Prej disa ditësh, reshjet e shiut dhe borës që bien në Liban kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturë.

Qindra mijëra sirianë ikën në Liban kur shpërtheu lufta civile në vendin e tyre në vitin 2011. Sipas autoriteteve, Libani është shtëpia e rreth 2 milionë refugjatëve. Nga këto, 830,000 janë regjistruar nga agjencitë e OKB-së.

UNHCR bëri thirrje në fillim të dhjetorit për t’u ofruar ndihmë sirianëve të zhvendosur, si dhe qytetarëve të cenueshëm libanezë, pasi vendi po përjeton një krizë të paprecedentë socio-ekonomike.

/Shqip.com