Sport Ndërkombëtar

Lëndohet Varane, mundësi e “artë” për Maguire

Manchester United do të jetë pa Raphael Varane së paku deri pas përfundimit të Kupës së Botës.

Francezi ka qenë pjesë integrale e skuadrës së Erik ten Hag, por trajneri tashmë e ka konfirmuar mungesën e qendërmbrojtësit deri pas Katar 2022.

“Raphael Varane nuk është në skuadër. Ai do të jetë jashtë deri në Kupën e Botës. Ai nuk do të luajë në këtë pjesë për Man United”, tha Ten Hag.

Kjo mund të jetë një mundësi e mirë që të shfrytëzohet nga Harry Maguire.

Maguire u rikthye në stërvitje pas një dëmtimi të marrë gjatë kohës që ishte në detyrë ndërkombëtare në shtator dhe është rikthyer në grup në një kohë të përshtatshme.

Trajneri holandez tha në konferencën e tij të fundit për shtyp se ai do të ketë një rol në skuadrën e Manchesterit.

“Ai (Maguire) ka gjithmonë një rol të rëndësishëm. Ai u lëndua dhe është i lumtur që është kthyer dhe tani duhet të kthehet në lojëra. Gjithmonë ka të bëjë me performancën. Sa i përket cilësitë e tij – nuk ka problem. Ai është lojtar i madh dhe ka aftësi të mëdha për të bërë një punë për ne”.

Ndeshjen e radhës United e ka në kuadër të Evropa League, përballë Sheriffit.

Skuadrës angleze i duhet fitore për të siguruar kualifikimin, por edhe për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e parë, ku aktualisht është i vendosur Real Sociedad.

/Shqip.com