Lajme

Lëndohet një skijator në Brezovicë, goditi një moto-sajë në shtigjet e skijimit

Skijatori i lënduar.

Një skijator është lënduar pasditen e së shtunës në qendrën skitare në Brezovicë, njofton Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës.

Sipas njoftimit, skijatori ka goditur moto-sajin që ka qenë duke lëvizur brenda shtigjeve të skijimit, ku është lënduar në disa pjesë të trupit.

Tutje, bëhet e ditur se për shkak të bllokimit të rrugëve nga parkimi i automjeteve, autoambulanca nuk ka arritur në vendngjarje.

Skijatori i lënduar.

“Në kordinim me policinë e Kosovës anëtarët tanë në krye me Bardhosh Morina, dhe Eduard Daci, të ndihmuar nga qytetarët lokal realizojnë edhe evakuimin e viktimës drejt qendrës spitalore në Ferizaj”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Ndërkaq, sipas rregullores së qendrës skitare, lëvizja e moto-sajave është rreptësisht e ndaluar në shtigjet e skijimit.

Shërbimi i Kërkim – Shpëtimit kërkon nga institucionet marrjen e masave për ndalimin e këtyre mjeteve në shtigjet eskijimit në mënyrë që të evidentohen aksidente me “përmasa tragjike”.

“Lëvizja e moto-sajave në qendrën skitare të Brezovicës kohëve të fundit është në trend dhe momentalisht janë më qindra moto-saja që paraqesin rrezik për skitarët dhe vizitorët, jo rallëherë ndodhin edhe aksidente të ndryshme.

Ju njoftojmë që pas ekzaminimeve mjekësore  gjendja e të aksidentuarit është stabile dhe vazhdon të jetë nën mbikëqyrje mjekësore”, njofton tutje Shërbimi i Kërkim—Shpëtimit./SHQIP.com