Lajme

Lëndohen pesë policë në Zveçan, Policia jep detaje shtesë

Policia e Kosovës

Pesë pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë lënduar sot në Komunë të Zveçanit.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Policia e Kosovës zyrtarët e rendit publik vazhdimisht kanë biseduar me qytetarët e tubuar, duke kërkuar që të njëjtit të largohen dhe të mos pengohet puna e zyrtarëve shtetëror, të lirohet rruga dhe të lejohet hyrja e tyre në vendet e punës, mirëpo sipas policisë të njëjtit kanë refuzuar në vazhdimësi.

“Protestuesit në Zveçan pas një kohe kanë filluar të shfaqin dhunë, të fyejnë e të hedhin mjete të ndryshme të forta dhe shok bomba në drejtim të Policisë dhe automjeteve zyrtare, duke shkaktuar rrezik të drejtpërdrejtë dhe lëndime të lehta trupore deri tani ndaj pesë (5) zyrtarëve policorë të  cilët  më pas u janë kthyer detyrave policore”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se, Policia e Kosovës ka hyrë në komunën e Zveçanit dhe të Leposaviqit, duke thyer turmat e mbledhura para këtyre komunave, pas lëshimit të sirenave nëpër qytete.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërsa nëpër rrugët e veriut janë parë policë me armë të gjata. Siç raportohet nga Zveçani, deri tash, janë katër policë të lënduar.

Pas intervenimit të Policisë së Kosovës për t’i asistuar kryetarët e rinj të Zveçanit, Leposaviq-it dhe Zubin Potokut që të vendosen në objektet komunale, deri tani të mbajtura nga strukturat paralel, i është vënë flaka edhe një veture të policisë.

Kujtojmë se, qytetarë serbë të pjesës veriore të Kosovës kanë bllokuar qasjen për në objektet komunale të tri komunave që kryetarët e rinj dje dhanë betimin.

Ndërsa në këtë pjesë të vendit janë dëgjuar edhe sirenat e alarmeve të qytetit, por që nuk dihet arsyeja.

Megjithatë, sipas mediave lokale serbe, menjëherë pas alarmit i cili ka nisur pak pas orës 12:00, qytetarët kanë nisur të mblidhen para objekteve komunale.

Sipas mediumit Kossev, qytetarë janë parë edhe para ndërtesës së komunës së Mitrovicës së Veriut.

“Sipas informacioneve nga terreni, Radosavljeviq raporton se bëhet fjalë për një grup qytetarësh të cilët dyshohet se janë ftuar nga ish-qeveria për të ruajtur objektin e komunës.

Kur e pyetën se nga çfarë po e mbronin, as ai nuk e dinte përgjigjen”, shkruan Kossev.

Lidhur me situatën e krijuar, ka reaguar edhe Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media. Sipas tyre Policia e Kosovës po ndërmerr veprimet e saja në funksion të ruajtjes së rendit e sigurisë publike.

“Policia e Kosovës (PK), sipas autorizimeve ligjore dhe kushtetuese po ndërmerr veprimet e saja policore në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike si dhe ndërmarrjen e masave policore me qëllim të parandalimit të të gjitha veprimtarive kriminale që paraqiten në vend.

Sipas detyrës zyrtare, sot Policia e Kosovës është duke asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”, thuhet në njoftimin e tyre.

/Shqip.com