Sport Ndërkombëtar

Legjenda e Unitedit i ka disa fjalë për Brojën

Armando Broja vendosi në fillim të sezonit të qëndronte te Chelsea,  pavarësisht ofertave që nuk i munguan nga klube të ndryshme, ku me siguri do të mund të luante më shumë minuta.

Megjithatë, sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte i bindur se mund t’ia dilte në skuadrën e zemrës dhe pas shkarkimit të Thomas Tuchel, tashmë nën drejtimin e trajnerit Graham Potter duket se do të marrë më shumë përgjegjësi.

Në lidhje me Brojën së fundmi ka folur edhe legjenda e Manchester United, Rio Ferdinand i cili thekson se trajneri Potter është i duhuri për të rinjtë ndërsa shton se me Thomas Tuchel, lojtari shqiptar edhe mund të ishte larguar nga skuadra.

“Chelsea ka shumë lojtarë të rinj, një nga ata është Broja. Ai ka shumë klube që e vlerësojnë, por te Chelsea duket se kanë ndryshuar filozofi pasi në të kaluarën me siguri do ta kishin shitur. Kështu është edhe situata me Gallagher, por tashmë të rinjtë si Broja po vlerësohen dhe në klub janë të kënaqur nga zgjedhja për të mos i larguar. Kam përshtypjen që të rinjtë do të përfitojnë nga largimi i Tuchel pasi Potter i beson shumë lojtarëve të së ardhmes, Chelsea ka një akademi fantastike”, u shpreh Ferdinand.

/Shqip.com