Sport Ndërkombëtar

 Leao refuzon Chelsean e Real Madridin, e do këtë skuadër 

Ylli i Milanit, Rafael Leao thuhet se ka refuzuar ofertat e Chelseas dhe Real Madridit dhe dëshiron të vazhdojë me kuqezinjtë.

Marrëveshja e yllit portugez në “San Siro” skadon në qershor të vitit 2024 dhe bisedimet me kuqezinjtë janë duke vazhduar.

Sipas La Gazzetta dello Sport, Chelsea dhe Real Madrid thuhet se kanë zhvilluar bisedime me agjentin e lojtarit, Jorge Mendes, por Leao i ka shpërfillur të dy gjigantët evropianë pasi dëshiron të vazhdojë me “Rossonerët”.

Marrëveshja ekonomike mes dy palëve nuk besohet të jetë problem, me Milanin që planifikon të rrisë pagën e tij në shtatë milionë euro në sezon.

Megjithatë, nuk ka ende një marrëveshje për gjobën me vlerën e më shumë se 20 milionë euro që Leao i detyrohet ish-klubit të tij Sporting Lisbona për ndërprerjen e kontratës së tij në mënyrë të njëanshme në vitin 2018.

Rafael Leao

Përfaqësuesit e lojtarit presin që Milani të paguajë një pjesë të tarifës, diçka që Milani nuk është i bindur ta bëjë.

Mediumi A Bola raportoi javën e kaluar se përfaqësuesit e Chelseas kanë takuar Sportingun për të pasur një pamje të plotë të situatës, por sipas GDS, Leao nuk dëshiron të transferohet në “Stamford Bridge” dhe ka ngarkuar agjentët e tij që të arrijnë një marrëveshje me Milanin.

/Shqip.com