Lajme

LDK zyrtarizon kandidaturën e Sibel Halimit për kryetare të Ferizajt

Lumir Abdixhiku dhe Sibel Halimi

Lidhja Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar kandidaturën e Sibel Halimit për kryetare të Komunës së Ferizajt, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, njofton Shqip.com.

Dega e LDK-së në Ferizaj, ka bërë të ditur se vendimi për kandidimin e Halimit është marrë në mbledhjen e mbajtur para pak çastesh, “pas një diskutimi të frytshem e me procedurë demokratike”.

“Me intelektualen e veprimtaren Sibel Halimi do të ndryshoj qasja për pushtetin i cili me fitoren e saj do ti kthehet qytetarëve”.

“Është nder e respekt për ferizajasit që për herë të parë në zgjedhje lokale për Kryetare të Komunës, ndonjë parti kandidon një femër”, thuhet në njoftimin e Degës së LDK-së në Ferizaj.

Tutje, bëhet e ditur se kjo degë dhe strukturat e saj janë “mobilizuar plotësisht për t’i fituar këto zgjedhje e për ta udhëhequr Komunën, ashtu siç e presin dhe e dëshirojnë kthimin e saj të fuqishëm ferizajasit”.

Aktualisht Sibel Halimi është anëtare e Kryesisë dhe zëdhënëse e Lidhjes Demokratike të Kosovës./SHQIP.com