Lajme

LDK: Qeveria duhet të filloj dialogun me sindikalistët, Ligji i Pagave të procedohet sa më parë

Lumir Abdixhiku, Kryetari i LDK-së
Lumir Abdixhiku, Kryetari i LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që menjëherë të nis dialogun me sindikalistët si dhe të procedojë sa më parë Ligjin e Pagave.

Përmes një njoftimi për media, LDK-ja ka thënë se e kanë mirëpritur lajmin për ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit dhe zyrtarët publik.

“LDK i kërkon Qeverisë menjëherë të nis dialogun me sindikalistët si dhe të procedoj sa më parë Ligjin për Pagat. Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur lajmin për ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit dhe zyrtarët publik në komunat tona. Thirrjet tona për çështje të tilla, dëshmojnë edhe njëherë që Qeveria është e papërgjegjshme ndaj vendimeve të saj”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Tutje, në reagimin e kësaj partie thuhet se Qeveria duhet të dëgjoj dhe pranoj kërkesat e grevistëve që procesi mësimor të filloj menjëherë.

“Qeveria duhet të dëgjoj e pranoj kërkesat e tyre që procesi të filloj menjëherë, nxënësit tanë të kthehen në bankat e shkollës e mësimdhënësve tanë t’u kthehet dinjiteti”.

Ndërsa, kërkesë e LDK-së është që në seancën e parë të Kuvendit të procedohet Ligji për Paga.

“LDK gjithashtu kërkon që në seancën e parë në Kuvendin e Kosovës, të procedohet Ligji për Pagat, i njëjti të diskutohet pasi që ende nuk e kemi marrë zyrtarisht si dhe pas të gjitha komenteve, të hyjë në fuqi për zbatim nga janari i vitit 2023, për të mbështetur qytetarët tanë në këtë kohë krize të rëndë ekonomike”.

Ndërsa, ata janë shprehur të gatshëm që të ofrojnë ekspertizën e tyre për të gjetur zgjidhje ndaj krizës ekonomike dhe problemeve që përballën qytetarët e Kosovës.

Sindikatat në Kosovë janë në grevë të përgjithshme që nga data 25 gusht. Mësimi gjithashtu është pezulluar për një kohë të pacaktuar por disa shkolla nuk e kanë respektuar grevën.

Sipas kryesindikalistëve, greva do të vazhdojë deri sa Qeveria e Kosovës të reflektoj ndaj kërkesave të tyre ose t’i ftoj ata për një dialog social.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës, si dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë bërë thirrje që grevat të ndërpritet dhe nxënësit të kthehen në shkolla me pretekstin se fëmijët janë duke humbur shumë.