Lajme

LDK-ja e ‘sakrifikon’ Kujtim Shalën për Doarsa Kica-Xhelilin, bëhet anëtare e këtij komisioni

Deputetja, Doarsa Kica

Deputetja më e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili në fillimin e sesionit vjeshtor, ka zënë vend në ulëset e partisë opozitare.

Dikur ajo ulej në ulëset me më së shumti deputetë kurse sot iu bashkëngjit deputetëve të LDK-së.

Ajo u ul në rendin e parë, afër kryetarit të kësaj partie, Lumir Abdixhiku.

Në seancën e sotme, Lëvizja Vetëvendosje propozoi deputetët që do ta zëvendësonin atë në komisione parlamentare, ndërsa LDK-ja e bëri Kica Xhelilin anëtare të Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.

Ajo u bë anëtare duke e zëvendësuar Kujtim Shalën.

Theksojmë se Kica-Xhelili ishte pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, nga radhët e Listës Guxo.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit ajo ka marrë gjithsej 10.604 vota, duke siguruar ulëse në Kuvend.

Përgjatë kësaj legjislature të Kuvendit të Kosovës, Doarsa ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, si dhe anëtare e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër-Korrupsionit./SHQIP.com