Lajme

LDK-ja dorëzon kallëzim penal ndaj ambasadorit Martin Berishaj

Deputetët e LDK-së, Besian Mustafa dhe Driton Selmanaj

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj dhe Besian Mustafa, sot gjatë ditës e kanë dorëzuar në Zyrat e Prokurorisë Speciale, kallëzimin penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Duke folur për media, deputeti Selmanaj ka thënë se situata të tilla si ajo e Berishajt nuk tolerohen.

“Bashkë me kolegun tim Besian Mustafa dorëzuam në Prokurorinë Speciale të Prokurorisë së Kosovës një denoncim apo të themi kallëzimin penal rreth dëshmisë jo të saktë dhe jo të vërtetë që zotri Martin Berishaj, ambasadori Martin Berishaj e ka bërë para këtij Komisioni me datë 17 nëntor kur është intervistuar në Komisionin Hetimor.

Prandaj, me qëllim që të mbrojmë dinjitetin e Kuvendit të Kosovës, të mbrojmë dinjitetin e kësaj Republike ne nuk mund të tolerojmë situata kur vjen një ambasador dhe vjen një dëshmitar dhe gënjen para Komisionit, nuk i tha të vërtetat përkundër që është i informuar paraprakisht për pasojat ligjore dhe penale që mund t’i ketë”, është shprehur Selmanaj para mediave.

Pavarësisht se shkarkimi i Berishajt kërkohet tash e sa muaj, kryediplomatja Donika Gërvalla, ka deklaruar se shkarkimi i tij nuk mund të ndodhë pa ndonjë arsye të faktuar.

Kujtojmë se më 22 prill të vitit të kaluar, Presidenca kishte kërkuar raport me shkrim nga ambasadori Berishaj, për pretendimet mediale të përfshirjes së tij në një skandal të madh financiar si sekser për Robert Golob, politikanin slloven.

Ky skandal ishte raportuar nga “Planet TV” të Sllovenisë, ku sipas këtij mediumi, kompania private konsulente në Mal të Zi, “MB Consulting”, e Berishajt, po hetohej ndërkombëtarisht për shkak të transferimeve të parave nga dega serbe e furnizuesit energjetik slloven.

Duke i mohuar këto pretendime Berishaj ka paralajmëruar ngritjen e një padie për mediumin në fjalë.

/Shqip.com