Lajme

LDK “frikësohet” se Qeveria mund ta pranojë Asociacionin

Lidhja Demokratike e Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës “frikësohet” se Qeveria e Kosovës mund ta pranojë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, veçanërisht pas marrëveshjes për targat dhe kërkesave të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian dhe Serbia për implementimin e marrëveshjes së vitit 2015, transmeton Shqip.com.

Nga kjo parti thonë se ekzekutivi po bën hapa prapa në dialog dhe me këtë qasje po rrezikon krijimin e një entiteti serb me fuqi ekzekutive.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti thotë se Asociacioni me fuqi ekzekutive duhet të jetë i papranueshëm për Kosovën, por sipas tij me Qeverinë Kurti rrezikohet themelimi i tij.

“Unë kam drojë se me këtë lloj qeverie të papërgjegjshme dhe pa zonjë në punët e jashtme mund të rrezikojmë një asociacion me fuqi ekzekutive. Gjithsesi është i pa pranueshëm dhe cenon rregullimin kushtetues të Kosovës dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thotë ai për KP.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti

Pretendimet e opozitës se marrëveshja për targat është hap para drejt themelimit të asociacionit, njohësi i procesit të dialogut, Arbër Fetahu i sheh si të hershme, pasi sipas tij kërkesat e Serbisë dhe BE-së për implementimi e marrëveshjes për asociacionin nuk janë të reja.

“Sa i përket akuzave për themelimin e ndonjë Asociacioni si derivat i marrëveshjes (për targat) nuk duam të paragjykojmë. Mendojmë se është ende herët dhe procesi dialogues po vazhdon dhe kërkesa për Asociacion nuk është e re, kjo kërkesë është tash e disa vite nga Serbia si palë kundër dialoguese, po ashtu shpesh herë në të kaluarën edhe Bashkimi Evropian ka përmendur si një marrëveshje që duhet të implementohet”, thotë Fetahu.

Arbër Fetahu nga shoqëria civile

“Kosovës, Qeverisë dhe gjithë spektrit politik i duhet një kristalizim i pozicionit karshi Asociacionit. Kemi një qëndrim që nuk duhet të themelohet me kompetenca ekzekutive që është i papranueshëm, por kjo nuk mjafton kur t’i ulesh në tavolinën e negociatave”.

“Besoj se Kosova duhet të ketë një alternativ kundër asociacionit, në kuptimin që të ketë alternativ çka pas asociacionit, cila është dalja nga ky udhëkryq dhe mos implementimi i kompetencave ekzekutive, pse duhet të merret për bazë Kushtetuta e Kosovës dhe cilat janë ato klauzola që janë respektuar më herët”, shton Fetahu. /Shqip.com