Lajme

LDK bojkoton RTK-në, kërkon dorëheqjen e drejtorit Gërvalla

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas zgjedhjes së Rilind Gërvallës në pozitën e drejtorit të RTK-së.

Nga zyra  e informimit të kësaj partie, përmes një komunikate për media bëhet e ditur që LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë emision, apo format që organizohet nga ky transmetues.

Sipas komunikatës thuhet se përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK është kapje e plotë e këtij institucioni publik.

Lexoni më poshtë të plotë reagimin e LDK-së:

“LDK konsideron se përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK është kapje e plotë e këtij institucioni publik i cili po shndërrohet në mjet propagande për pushtetin. LDK ka reaguar rreth kësaj përzgjedhje dhe deri në anulimin e këtij procesi me të gjitha strukturat e saj udhëheqëse do ta bojkotojë prezencën në këtë kanal publik.

LDK po ashtu i bën thirrje të gjithë akterëve të tjerë, subjekteve politike e organizatave vendore e ndërkombëtare si dhe figurave të pavarura që të ndjekin një hap të tillë. LDK solidarizohet me gazetarët dhe të gjithë punëtorët që kanë punuar shumë dhe kanë informuar të gjithë qytetarët tanë drejtë dhe në mënyrë të pavarur.

Qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur. Prandaj, LDK edhe njëherë kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë, dhe derisa sa kjo të ndodhë, LDK-ja nuk do të marrë pjesë në asnjë emision, apo format që organizohet nga ky transmetues”.

Kujtojmë se, Bordi i Radio Televizionit Publik të Kosovës të martën ka miratuar rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, për emërimin e Rilind Gërvalla në pozitën e drejtorit.

Ndërsa për emërimin e drejtorit të ri të RTK-së patën reaguar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës, të cilët thanë se kapja dhe nënshtrimi i RTK-së nën direktivën e pushtetit, është një hap më tutje kundër fjalës së lirë dhe lirisë së mediave në Kosovë.

/Shqip.com